Ja si e fitoi lirinë Ilir Xhakja



Bëhet për herë të parë publik vendimi i zbardhur, që shpalli të pafajshëm në datën 9 shkurt 2011 Ilir Xhakjan, pasi ishte dënuar më parë më 21 vite burg për vrasje, e në një kohë kur prokuroria kërkonte shtim të ndëshkimit me 24 vite izolim.

Ja si e fitoi lirinë Ilir XhakjaNë këtë vendim të firmosur nga 3 gjyqtarët, kryetari Neritan Tabaku dhe anëtarë të trupit gjykues Fejzo Hysi dhe Ndue Gjura, konkludohet se nuk provohet që Xhakja të ketë kryer vrasje, raporton Vizion Plus. Kjo pasi dëshmitarët në vendngjarje të familjareve të viktimës, kanë deklaruar se ekzekutimin e bënë 2 persona të panjohur, pra nuk identifikuan të akuzuarin, edhe pse e kanë fqinj dhe e njohin mirë atë.

Një tjetër argument i përdorur është fakti se prova e vetme që lidh Xhakjan me vendin e krimit është gjurma e gishtit, e gjetur në një gëzhojë në vendngjarje. Por sipas gjykatës, edhe ajo e pavlefshme, pasi nuk u mor që në fillim në vendngjarje, duke u evidentuar 4 vjet pas vrasjes se Qerim Malokut, nga një ekspertizë e dytë.

Në përshkrimin e dinamikës së ngjarjes, i akuzuari pretendon se ndodhej në Gjermani, dhe për të vërtetuar këtë fakt ka dëshmuar inspektori i zonës, duke pohuar se ka folur në telefon me të pandehurin.

Këto argumente janë përshkruar në vendimin e zbardhur tashmë nga gjyqtari Neritan Tabaku, që është gjetur në dosjen e sekuestruar nga Prokuroria dhe inspektorët e KLD-së, vendim ky që nuk dihet kur është plotësuar dhe përse nuk është dokumentuar në afatin e duhur, për t’i lënë kohë Prokurorisë ta apelojë atë.

Në fakt, inspektorët që kanë nisur procedimin penal për akuzën “shpërdorim detyre” do të hetojnë jo vetëm përmbajtjen e dosjes, por edhe afatet kur është arsyetuar vendimi.

Mos zbardhja e tij pengoi Prokurorinë të apelojë pafajësinë e Ilir Xhakjas i cili endej i lirë, deri ditën kur ekzekutoi kryekomisarin Adem Tahiraj.

Çfarë mendoni? Komentoni më poshtë...

Lajme të tjera...