Qeveria greke synon të realizojë shkurtime të reja në lidhje me pensionet e minoritarëve të Shqipërisë. Ministri grek i Punës, Janis Vroutsis, bëri të ditur se do të shkurtohen pensione të Entit Bujqësor të Sigurimeve Shoqërore, nga i cili përfitojnë të punësuarit në bujqësi dhe mijëra minoritarë grekë nga Shqipëria, raporton Vizion Plus.
Sipas ministrit, duke hequr 2800 pensione, shteti grek do të fitojë rreth 14 milionë euro në vit. Ministri nuk dha detaje mbi kategoritë e pensioneve dhe sa persona nga Shqipëria do të prekë kjo masë, por në tetor të vitit të kaluar qeveria greke iu hoqi përfitimet më shumë se gjysmës së tyre, 3500 pensionistëve në Shqipëri, me argumentin se nuk depozituan brenda afatit ligjor dokumentacionin e kërkuar.
OGA prej vitesh jep pensione 360 euro në muaj tek të gjithë ata persona që mbajnë statusin e “homogjenit”, që vërtetojnë ligjërisht se janë shtetas grekë ose me prejardhje greke. Athina zyrtare ka nisur gjithashtu një hetim për rastet e pensioneve false, nga të cilat mijëra persona kanë përfituar për vite me radhë në mënyrë të paligjshme.