NASA gjen prova të reja jete në Mars



NASA ka bërë të ditur se mostrat e marra nga sonda e saj Curiosity në sipërfaqen e Marsit, kanë treguar se në Planetin e Kuq mund të ketë ekzistuar jeta shumë kohë më parë.

NASA gjen prova të reja jete në MarsShkencëtarët nga Agjencia Ndërkombëtare e Hapësirës kanë publikuar gjetjet shtatë muaj pas zbarkimit të Curiosity-t në Mars dhe një muaj pasi sonda ka përdorur krahun e saj robotik për të gërmuar thellë në brendësi të një shkëmbi.
Shkencëtarët kanë thënë se Curiosity ka gjetur ujë, ashtu si edhe argjile, sulfate dhe disa minerale të tjera.
“Kemi gjetur prova uji dhe shohim një shtrat të lashtë lumi… Deri më tash, kjo është fantastike”, ka thënë njëri nga shkencëtarët kryesorë në NASA, Michael Myer.
Shkencëtari tjetër, John Grotzinger, ka përshkruar më shumë ujin që dikur ka rrjedhur në zonën e njohur si Yellowknife Bay.
“Mendoj se kemi gjetur një ambient të banueshëm, i cili është aq i këndshëm dhe tregues i jetës. Me siguri, po qe se ky ujë do të ndodhej përreth dhe ju do të ishit në planet, ju do të mund ta pinit atë”, ka thënë Grotzinger.
Shkencëtari David Blake ka përmbledhur impaktin e gjetjeve.
“Cili është mesazhi i kësaj? Mendoj se ky është ndoshta i vetmi mjedis i banueshëm, që kemi definuar dhe regjistruar. Ka vende për të cilat mund të sugjerojmë se mund të jenë të banueshme, por nuk i kemi njehsuar”, ka thënë Blake.
NASA po ashtu ka thënë se sonda do të shpojë një vrimë tjetër në shkëmbin e Kraterit Gale në muajin maj, për të kërkuar nëse ka komponime organike.
Më herët, sondat e NASA-s në Mars – Opportunity dhe Spirit – kanë gjetur po ashtu prova se në Mars dikur ka rrjedhur uji.
Por, në atë kohë, shkencëtarët kanë thënë se uji ka mundur të jetë shumë acidik për të mbajtur mikrobet.

Çfarë mendoni? Komentoni më poshtë...

Lajme të tjera...