Vrasja e Veizit, Zoto: Provat materiale në një qese, jashtë procedurave



TIRANE – Gjatë seancës së sotme të çështjes së “21 janarit” eksperti i thirrur nga Prokuroria Dritan Zoto ka dhënë përgjigje në lidhje me vrasjen e Ziver Veizit.

Vrasja e Veizit, Zoto: Provat materiale  në një qese, jashtë proceduraveZoto i është përgjigjur disa pyetjeve të bëra nga avokati mbrojtës i të pandehurit Ndrea Prendi, ku sipas tij gjatë ekspertimit të teshave të Veizit është vepruar në mënyrë të gabuar, pasi ato janë vendosur të gjitha në një qese dhe jo tek e tek siç parashikohet në rregullat e ekspertimit dhe në procedurat penale.

Copëzat e drunjta të gjetura në predhën që vrau Ziver Veizin, sipas ekspertit Dritan Zoto mund të jenë vendosur aty nga pakujdesia gjatë momentit të ekzaminimit.

Sipas tij në predhë nuk ekziston asnjë gjurmë, qoftë dhe mikroskopie që të faktojë goditjen me një trup të drunjtë, nga ku më pas të jenë bashkangjitur dy copëzat e pretenduara në akt-ekspertizën dhe të përdorura nga mbrojtja gjatë seancave gjyqësore si alibi e një plumbi rikoshet.

Eksperti Dritan Zoto nuk ndryshon qëndrim në seancën gjyqësore për dosjen 21 janari. Sipas tij shkencërisht nuk ka asnjë mundësi që predha e dyshuar për vrasjen e Ziver Veizit të ketë goditur një trup të drunjtë para se të vras Veizin.

Në përfundim prokurori Adriatik Camaj ka kërkuar që Gjykata të paraqesë si provë në seancë pamjet filmike, të cilat janë regjistruar gjatë ekzaminimit të provave materiale, si predha dhe rrobat e viktimës.

Trupi gjykues pas pranimit të kërkesës së organit të akuzës, vendosi datën 16 janar për të zhvilluar seancën e radhës, ku do t’i jepet mundësia të gjitha palëve të shohin pamjet filmike.

Nëse vërtetohet se plumbi që vrau demonstruesin Ziver Veizi më 21 janar 2011 nuk ka qenë rikoshet ish-gardisti Agim Llupo rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm.

DESHMITE KONTRADIKTORE TE EKSPERTEVE
Në seancën e 7 janarit 2013 eksperti i thirrur nga Prokuroria Dritan Zoto, deklaroi se Ziver Veizi është vrarë nga një plumb i drejtëpërdrejtë. “Plumbi që vrau protestuesin Ziver Veizi nuk ishte rikoshet”. Deklaroi eksperti i kriminalistikës në seancën gjyqësore të 7 janarit në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Argumentit pse plumbi nuk ishte rikoshet, Zoto tha se predha ka bërë takim me trupa të tjera dhe kjo është arsyeja pse ashklat e drurit u gjetën në predhën që vrau Ziver Veizin.

“Predha e gjetur në autopsinë e Ziver Veizit, objekt ekspertimi, gjatë lëvizjes së saj, nuk mund të ketë shoqëruar dy copëzat e drunjta të gjetura në këmishën e viktimës Ziver Veizi, objekt ekspertimi”, thuhet në konkluzionet e ekspertit Dritan Zoto.

Ndërkohë që seancën e kaluar, më 26 dhjetor 2012, eksperti Gani Jahelezi i thirrur nga avokati mbrojtës deklaroi se plumbi ishte rikoshet. Sipas ekspertit kriminalist, Gani Jahelezi, predha ka udhëtuar së bashku me dy ashklat mikroskopike në trupin e të ndjerit, çka nënkupton se viktima është qëlluar nga një predhë rikoshet.

Eksperti Gani Jahelezi ka deklaruar në seancën e 26 dhjetorit 2012 të dosjes së “21 janarit” se shkencërisht është e mundur që dy ashklat e drurit të gjetura në predhën që dyshohet se ka vrarë Ziver Veizin të kenë udhëtuar në të njëjtën trajektore me predhën edhe pse shpejtësia e lëvizjes është shumë e lartë. Sipas Jahelezit dy ashklat mund të kenë shoqëruar predhën të mbetura në të, ose si pasojë e vakumit të madh që krijon shpejtësia e predhës të kenë ndjekur nga pas atë”.

Çfarë mendoni? Komentoni më poshtë...

Lajme të tjera...